Thirrjet për Shqipërinë etnike nuk mund të jenë kurrë të ëmbla në veshët e një greku. S’ka ndodhur ndryshe, as të enjten e 10 nëntorit të vitit të kaluar, gjatë ndeshjes së ekipeve përfaqësuesese Shpresa mes Shqipërisë dhe Rusisë, kur një grup tifozësh kuqezi shpalosi hartën e Shqipërisë etnike dhe bëri thirrje për ta realizuar këtë ide ndërkohë që hodhi edhe disa materiale piroteknike në fushën e stadiumit “Niko Dovana”. Gjithçka më sipër, delegati i ndeshjes, i quajtur Evangelis Mazarakis ka fotografuar gjithçka dhe materialin e ka paraqitur në Komitetin Disiplinor të UEFA-s, i cili ka marrë një vendim të ashpër kundër FSHF-së: 15 mijë euro gjobë. Një letër e mbërritur dje në Federatë ka njoftuar vendimin e Komitetit. FSHF do të duhet të vendosë nëse do ta apelojë vendimin ose jo brenda pesë ditëve, ndonëse gjasat për të pasur sukses janë fare të pakta. “Po, jemi gjobitur me 15 mijë euro për ndeshjen e Shpresave, Shqipëri-Rusi. Arsyeja zyrtare e këtij vendimi është për thirrje nacionaliste nga ana e tifozëve, për vendosjen e pankartave me sfond të njëjtë, por edhe për hedhjen e materialeve ndezëse në fushë. Gjithçka ishte dokumentuar nga vëzhguesi grek i ndeshjes që nuk ka bërë një relacion dashamirës për ne”, konfirmoi dje një zyrtar i FSHF-së. Ndeshja, Shqipëri- Rusi për ekipet Shpresa u ndoq nga rreth 100 tifozë të grupimit “Tifozat Kuqezi”. Këta të fundit, kryesisht me prejardhje nga Kosova e kanë quajtur këtë përballje të rëndësisë së veçantë për shkak se Rusia është një kundërshtar i egër i mëvetësisë së vendit të tyre nga Serbia. Pavarësisht tifozerisë së ndezur nuk pati incidente për t’u shënuar. Dënimi për përfaqësuesen U-21 pason disa dënime të mëparshme për hedhje materialesh ndezëse në fushë gjatë takimeve të përfaqësueses A. Për shkak të tifozëve, FSHF ka humbur rreth 100 mijë euro vetëm në dy vitet e fundit. (Sport Ekspres)